
Shtëpia e lindjes se Hilës në Janjevë
Gjeçovi u lind në Janjevën e varfër me kujtesë si qytezë e pasur e shekullit XVI, me shkolla, miniera e shtëpi të zotit. Të parët e Gjeçovit, të larguar nga malësitë e Kryeziut të Pukës, kishin zënë vend në Janjevë. Siç ishte zakon, edhe të parët e Mëhillit thirreshin sipas emrit të fshatit "Kryeziu" apo fisit të tyre "Gjeçi". Në atë kohë, në rrugët e Janjevës fliteshin shqipja, serbishtja dhe turqishtja. Në familjen e Gjeçovit flitej shqipja, dhe vendosën që djalin e lindur në mesin e tyre më 12 korrik 1874 ta pagëzojë Mëhill. Mirëpo shpejt filluan ta thërrasin shkurt Hilë. Duket që sjelljet aktive të Hilës shkaktuan që prindërit ta dërgojnë atë në shkollën e fshatit për të mësuar shkrim, këndim e njehsim. Në shkollë i bije në sy priftit të Janjevës. Ky u propozojë prindërve të Hilës që ta dërgojnë në një shkollë më të mirë siç ishte kolegji fetar. Më 1844 prindërit vendosën që Hilën 10 vjeçarë ta nisin për Shkodër. Vazhdoi mësimet në kolegjin fetar të Troshanit (Lezhë). Sipas shënimeve të tij, duket që mërgimi nga fshati në kolegji, ta ketë munduar shpirtërisht aq shumë sa që kjo thyemje do ta përcjellë tërë jetën e tij. Në Troshan, Hilës ju desht të mësonte dije në gjuhë të huaja. Kolegjin françeskan të Troshanit Hila e mbaroi në vitin 1888 dhe po këtë vit, për studime të mëtejshme, shkoi në Bosnje. Më 15 gusht 1892, Hila hyri në urdhërin françeskan në kuvendin e Fojnicës, dhe mbas vitit të provës, vazhdoi mësimet liceale e filozofike në kuvendin e Derventës e të Banja Lukës. Herë pas here shkonte në Kreshevë për të dëgjuar leksionet e Thallóczy-t mbi origjinën e lashtësinë e gjuhës shqipe.[2] Gjatë kësaj kohe Gjeçovi filloi të ndiej veten në gjendje të shkruante Si rezulltat i kësaj prove, punoi një përmbledhje me vëllim prej 350 faqesh. Duket që kjo përmbledhje të jetë e ruajtur edhe më tej në manastirin françekan të Kreshevës. Në monografinë e Gjeçovit thuhet të jetë e titulluar diçka si Metropolis Antibarensis Ecclisiarum Epsiscopalium subiecta e guerunt Historia.... Pas mbarimit të studimeve të larta teologjike dhe me ndërrimin e emrit në Shtjefën Konstandin, më 29 qershor të vitit 1896 çon meshën e parë. Mbas një viti shërbim si meshtar në Troshan (Probandant dhe Rubik), në korrikun e verës së nxehtë të vitit 1897, Gjeçovi shkon për të shërbyer në Zllakuqan të Klinës. Me të mbërritur aty, fshatarët e presin siç ishte zakoni, mirëpo meshtari i ri ishte një befasi për ta. Gjeçovi po ashtu hapi edhe shkollën e parë ne Zllakuqan ku ajo shkollë mban emrin "Atë Shtjefen Gjeçovi" si themelues dhe mësues i parë i saj. Ai, në vend që t'iu binin kumbanat nga goja e tij kumbuan fjalët Të hapim shkollën shqipe në fshat[3]. Veprimtarin e tij ishte përqëndruar në praktikë për edukimin e fshatarëve. Nga mesi i vitit 1899 Gjeçovi nisi të shërbejë në Laç Sebaste të zonës së Kurbinit. Këtu, krahas shërbimeve fetare që i bënte Gjeçovi e që si duket nuk i merrnin kohë shumë, ai filloi të mbledhë visarin popullor, bën përshkrime gjeografike të këtyre anëve. Si duket ndër shkaqet më të rëndësishme të kapërcimit të detyrës së tij fetare, përpos frymës së Lidhjes në të cilën ishte rritur, rol të madh ka luajtur varfëria dhe prapambetja e popullsisë (të krishterë dhe myslimane) në këto anë. Në këtë plan, si i shkolluar parasysh që liria nuk mund të vinte vetëm për një krahinë ku shërbente, dhe se për vetëdijësim duhet komunikimi. Për këtë qëllim, në mungesë të mjeteve dhe të shtëpive botuese, shkrimet që i shkroj ndër vite, Gjeçovi i dërgoi për botim në revistën "Albania" të Konicës gjatë viteve 1900, 1901 dhe 1902. Në këto 11 shkresa të botuara kishte poezi, fjalë të rralla shqipe, gojdhëna mbi Skënderbeun etj. Gjatë vizitave të bëra nepër Shqipëri ai vizitoi edhe malin e Tomorrit, ku i shkroi disa poezitë cilat iu botuan në revisten "Albania". Ndër këto dallohet edhe vjersha "Beja e Shqyptarit" e cila ju botua nën pseudonimin "Lkeni i Hasit" në numrin 9, vitit 1902, në faqen 220 të revistes "Albania". Në anën tjetër nuk ishin të pakta shkresat që ai i dërgonte financuesve të shkollimit të tij. Në këto shkresa ai kryesisht i njoftonte ata me gjendjen e rëndë të popullit në gjitha sferat e jetës, sidomos atë ekonomike. Kështu, më 14 dhjetor 1900, Gjeçovi i shkruan një shkresë-protestë konsullatës austro-hungareze në Durrës rreth tatimeve dhe mbledhjes së tyre nga ana e Muharrem Hajdar Agës së Krujës. E shkroi këtë shkresë me shpresë që bashkëbesimtarët e tij do ta ndihmonin duke ndërhyrë pranë administratës osmane. Në anën tjetër Gjeçovi hapë shkollën e mbyllur të Laçit më 1901. Mirëpo mangësia e librave dhe mjeteve tjera mësimore, e shtyen që t'i kërkonte ndihmë konsullatës austro-hungareze në Durrës, dhe më vështirësi arri që të marrë disa abetare të Brukselit.[4] të cilat kishin përkthimin turqisht dhe lehtësonin mësimin e germave latine. Me qëndrimin e tij ne Laç-Sebaste, Gjeçovi iu vu punës së mbledhjes e redaktimit të ligjeve kanunore, që do të rreshtonte në veprën e tij madhore "Kanuni i Maleve". Zhguni i fratit dhe detyrimet ndaj kishës nuk ia ndërruan dot natyrën e një malësori luftarak, me dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën e tij të lashtë. Në Kurbin njihet me Gjin Pjetër Mark Pervizin e Skurajve me të cilin do konsultohej shpesh për të drejtën zakonore që vepronte n'atë krahinë. Lidhjet e tij në krahinë u thelluan gjithashtu me njohjen e Dom Nikollë Kaçorrit. Gjin Pjetri vepronte për organizimin e kryengritjes kundrejt taksave të rënda. Më 1906 u ngrit me forcë në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë, Gjeçovi e shoqëroi kryengritjen duke lënë dorëshkrim përshkrimin prej 116 faqesh kushtuar kryengritjes së Kurbinit e të Krujës nën udhëheqjen e Gjin Pjetrit, plak i parë i 54 pleqve të Kurbinit e semtit të Krujës. Gjeçovi duke qenë i pranishëm n'atë veprimtari patriotike e luftarake, merr pjesë në ngjarjet që zhvillohen si dëshmitar e shoqërues. Kështu e shohim bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin të pranishëm në kuvendin historik të Dilbnishtit, 5-7 të Gushtit 1906 të 54 pleqve te Kurbinit dhe semtit të Krujës, ku Gjin Pjetër Mark Pervizi, Skuraj, Kurbini, njihet si plak i parë i 54 pleqve dhe përfaqësues i vegjëlisë të krahinës. Në këtë kuvend vendoset një kanun që quhet "Kanuni i Bajrakut te Kurbinit", që përfshihet në vepren e tij në pjesën shtesë. Ky është i vetmi kanun politik, qe u ndërmor, per t'ia përshtatë kryengritjes që kishte filluar, ku merren masa ndaj atyre që bashkëpunojnë i shërbejnë turqve. Si rrjedhim e asaj kryengritje, Gjeçovi është prezent dhe dëshmitar okular i "Luftës së Tallajbes" (1904), ku delegatët e Kurbibit dhe të semtit të Krujës, thirrur për marrëveshje nga turqit, rrethohen për t'u asgjësuar por në saj t'organizimit e veprimit e trimnisë së Gjin Pjetrit, plani turk dështoi, u ndez beteja dhe shqiptarët arritën të çajnë rrethimin e të shpartallojnë forcat rrethuese. Si duket gjitha këto rrethana që e preknin drejtëpërdrejtë shërbimin e tij si dhe rrethana tjera që janë të njohura nga historia e shtyen Gjeçovin që t'i rrekët punës për argumentimin e lashtësisë së popullit të atyre anëve të harruara. Në të vërtet për argumentimin e bindjes së tij nuk nevojiteshin mjete teknike, pos lapsit dhe letrës. Ai gjendej në mesin e burimit, në mesin e atyre që kishin trashëguar atë lashtësi. Me këtë qëllim nga goja e popullit mblodhi fjalë të rralla, gjëagjëza, gojëdhëna, fjalë të urta, norma kanunore etj. Edhe për kohën e sodit, duket të jetë interesat fletorja e shënimeve që mbante Gjeçovi. Në të, ndër të tjera gjenden së paku 23 emërtime për lloje të ndryshme të flokëve. Dhe po nga shënimet e kësaj fletore mund të shihet metodat e mësimit që ai i zhvillonet. (prill - prit qit (shiu n'prill plot hir). Nepërmjet metodave të tilla edukative, paraqitjes së interesit për problemet e popullsisë, të qenurit shembull gjatë gërmimeve të para arkeologjike që i bënte (1902), Gjeçovi popullit i paraqiste figurën ideale të shërbëtorit të Zotit dhe të shërbëtorit të shpirtit të tyre të cilën e ai dhe ata e quanin Atdhe. Në janar të vitit 1906, sipas vendimit nr.21362, datë 30 dhjetor të vitit 1905 të Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë filloi të punonte si mësues i kurseve të gjuhës shqipe në Zarë të Dalmacisë. Që në ditë e para, mbasi të bie në dijeni shkakun e largimit të mësuesit të mëparshëm nga katedra e gjuhës shqipe në Borgo Erizzo, Gjeçovi proteston. Kjo protestë nga ana e punëdhënësve shihej si një rebelim dhe pas disa fërkimeve me punëdhënësit, pas gjashtë muajsh, si duket i dëshpruar largohet nga Zara. Largimi i tij u përcollë me disa këmbime të lerave në mes të punëdhënsit, urdhërit françeskan dhe vetë qendrës në Vatikan. Në anën tjetër, po gjatë kësaj kohe, Gjeçovi mbledh format e alfabet të vjetër shqip, bën shpjegimin e shqiptimit të tij dhe mbledh 12 shënjat e një kodiku të vjetër shqip. Verën e vitit 1906, Gjeçovi e kaloi i papunësuar, ndërsa vjeshten si drejtor i shkollave elemetare françeskane për djem dhe vajza. Këto shkolla ishin hapur dhe financoheshin nga faktori politik i Austro-Hungarisë që gjendej në Shqipëri. Në shkollën ku jepte mësim përpos fëmijëve për të cilët ishte paraparë, në mbrëmje mblidhte edhe të rinj kryesisht shegertë, elhakçí etj. Aty mësohej për lëndë si historia, gjeografia të nivelit përkatës. Afërsia e shërbëtorit të Zotit me popullin e paraqitur me rastin e festimit të përbashkët të 1 Majit ditës së shetisë shkollore në Shkodër shkaktojë që atij t'i bien në qafë edhe autoritetet otomane. Pas disa letërkëmbimeve në mes të administrates osmane, arqipeshkëv Guerinit dhe konsullatës austro-hungareze Gjeçovi transferohet në Gomsiqe, ku më 31 maj të vitit 1907 hapë shkollën shqipe. Kur shërbente në Gomsiqe, mori pjesë gjallërisht në organizimin e kryengritjes anti-osmane në ato anë dhe vetë u radhit në çetat e luftëtarëve të lirisë; u ngrit më 1914 me guxim kundër grabitjeve, përdhunimeve e padrejtësive që bënte në popull ushtria pushtuese austro-hungareze; më 1920 mori pjesë në luftën e Vlorës nga pushtuesit italianë. Në Zara të Dalmacisë, në Pejë, në Gjakovë luftoi kundër synimeve shkombëtarizuese të serbomëdhenjve ndaj popullsisë e kulturës shqiptare. Për këtë arsye e vranë serbomëdhenjtë në Zym të Gjakovës. Shkrimet letrare e shkencore të Shtjefën Gjeçovit i përshkojnë ndjenjat e atdhetarisë, idetë e përparimit të vendit nëpërmjet dijes e kulturës. Më 1910 botoi veprën morale-didaktike "Agimi i Gjytetnisë". Është ndër autorët e parë të dramës shqipe me Dashtunia e Atdheut (1901). Në shkrimet e mbetura të pabotuara, ndihen shqetësimet e autorit për problemet kombëtare e shoqërore.(Shqiptari ngadhnjyes 1904, Princi i Dibrave apo Mojs Golemi 1904, Mënera e Prezës 1902, Përkrenarja e Skënderbeut, etj).
Ndihmesën më të rëndësishme Shtjefën Gjeçovi e dha në fushën e etnografisë. Me një punë shumëvjeçare përgatiti për botim veprën madhore "Kanuni i Lekë Dukagjinit" (Shkodër, 1933), që e bëri të njohur në botën shkencore. Ka lënë gjithashtu shkrime të shumta, të botuara e të pabotuara, për doke e zakone të lindjes, të martesës e të vdekjes, për gjamën, për mikpritjen e besënshqiptare, për përshëndetje e fjalë të urta, por më së shumi u mor me të drejtën zakonore të popullit tonë. Në punimet e tij bëri përpjekje t'i lidhte mitet e besimet e lashta vendase të popullit tonë me ato trako-ilire e pellazge. Gjeçovi i takon gjeneratës së veprimtarëve të çerekut të fundit të shekullit XIX. Gjeneratë në të cilën si fëmijë ka ndikuar lëvizja kombëtare shqiptare e cila arrin kulmin e saj me Lidhjen e Prizrenit. Ndikimi i këtyre rrethanave në të cilat u rritë Gjeçovi shkaktoi që më vonë ai të kapërcente caqet e ideologjisë fetare sa që edhe të mburrej me angazhimet e tij kundër ndasive mesjetare.